Situata në Klinikën Onkologjike të Shkupit është jashtëzakonisht serioze pas përmbytjeve. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, theksoi se aparaturat e radioterapisë u fikën dhe uji rrjedhi edhe në dhomat e terapisë me jod radioaktiv.

Kuzeska sqaroi se nuk bëhet fjalë vetëm për ujë shiu, por për ujëra kanalizimi të shpërthyera, të cilat kanë ekspozuar pacientët ndaj rrezikut të dyfishtë. Rreziku i parë vjen nga rrezatimi, për shkak të pranisë së ujit në zonën e terapisë me jod radioaktiv. Rreziku i dytë është ai biologjik, nga rrjedhja e ujërave septike në të gjithë klinikën. Ajo shtoi se bunkeri i vetëm i izoluar me mure plumbi është përmbytur plotësisht, pa pasur një dhomë alternative.

LSDM kërkon përgjigje të menjëhershme nga menaxhmenti i Klinikës Onkologjike dhe Drejtoria e Mbrojtjes nga Rrezatimi. Pyetjet fokusohen në reagimin ndaj situatës, vendndodhjen e pacientëve me terapi jodi, ndotjen e mundshme me jod radioaktiv jashtë zonave të caktuara dhe dekontaminimin. Ata gjithashtu ngrenë shqetësimin për sigurinë e stafit dhe pacientëve të tjerë, duke kërkuar përgjegjësi për ndotjen e mundshme biologjike në një mjedis spitalor me pacientë të kompromentuar imunologjikisht.