Vendimi u mor në mbledhjen plenare të KLGJ-së, e cila shqyrtoi kërkesën e Qirkos dhe të nëntë kolegëve të saj nga institucionet e vetingut. Të gjitha kërkesat për caktim në pozicionin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit u rrëzuan.
Pamela Qirko ishte pjesë e një liste prej 10 juristësh, ish-anëtarë të institucioneve të vetingut, të cilët aplikuan për t'u futur në sistemin e gjykatave të Apelit pas përfundimit të mandatit të tyre kushtetues. Së bashku me Qirkon, kërkesat e refuzuara përfshijnë edhe Suela Zhegu, Firdes Shuli, Alma Faskaj, Brunilda Bekteshi, Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Roland Ilia.
KLGJ në mbledhjen e datës 10.07.2026, shqyrtoi gjithashtu çështje të tjera, si miratimi i raportit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares Brunilda Kadi për vitin 2024. U shty shqyrtimi i vlerësimit për gjyqtarin Adrian Shega dhe u caktua me short relatori për procedimin disiplinor ndaj magjistrates Suela Dashi. Këshilli vendosi edhe zgjatjen dhe ricaktimin në skemën e delegimit të gjyqtarit Sokol Ibi në Gjykatën Administrative të Apelit, si dhe deklaroi të përfunduar një procedurë verifikimi për kandidate në Shkollën e Magjistraturës.