Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSH) njoftoi se ilaçi Kleksan është bërë i disponueshëm me recetë mjeku nëpër farmaci që nga 1 korriku 2026. Ky ilaç, me emër gjenerik enoksaparinë, është tani pjesë e Listës Pozitive të Barnave. Sipas FSSH, farmacitë që kanë marrëveshje me Fondin janë të detyruara ta sigurojnë dhe lëshojnë këtë ilaç për personat e siguruar që kanë nevojë.
Qytetarët e siguruar mund ta marrin ilaçin drejtpërdrejt në farmaci, bazuar në recetën e lëshuar nga mjeku i tyre i zgjedhur. Nuk do të jetë më e nevojshme blerja paraprake e tij dhe më pas paraqitja e kërkesës për rimbursim. Ky proces i ri synon të thjeshtojë aksesin e pacientëve tek medikamenti.
Vendosja e Kleksanit në listën pozitive ishte planifikuar më herët, por u shty për shkak të çështjeve teknike dhe administrative. Lista pozitive u zgjerua edhe në vitin 2024 me medikamente të reja për trajtimin e tensionit të lartë, sëmundjeve të zemrës, depresionit dhe demencës.