Besimi popullor se uji i detit shëron plagët është i gabuar dhe mund të shkaktojë komplikime serioze. Edhe kur plaga duket e mbyllur në sipërfaqe, indet e thella mund të jenë ende në proces shërimi. Vlerësimi i gjendjes së plagës vetëm “me sy” nuk mjafton, paralajmërojnë mjekët.
Zhytja e parakohshme e plagës në ujë zbut indin, ngadalëson shërimin dhe rrit rrezikun nga infeksioni. Uji i pishinës, megjithëse i klorinuar, nuk është steril dhe mund të përmbajë baktere, viruse e kërpudha. Këto mikroorganizma mund të depërtojnë në plagët e hapura ose jo plotësisht të shëruara, duke shkaktuar infeksione. Qëndrimi i gjatë në ujë zbut lëkurën rreth prerjes kirurgjikale, duke vështirësuar shërimin normal.
Edhe uji i detit, i cili shpesh konsiderohet "antibiotik natyral", nuk është steril dhe përmban mikroorganizma, sidomos në zona të populluara apo pas shirave të mëdha. Këto mund të shkaktojnë infeksion, skuqje, ënjtje, dhimbje ose rrjedhje sekreti nga plaga e freskët kirurgjikale. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS) këshillojnë shmangien e kontaktit të plagëve të hapura me ujin.
Koha e sigurt për larje pas operacionit varet nga lloji i ndërhyrjes, vendndodhja e prerjes, mosha e pacientit dhe shpejtësia individuale e shërimit. Mjekët rekomandojnë që për larje në det, pishinë apo vaskë të pritet zakonisht dy deri në katër javë, ose më shumë, derisa plaga të jetë shëruar plotësisht dhe mjeku të konfirmojë rikuperimin. Gjithmonë duhet konsultuar kirurgu para se të vendoset për hyrjen në ujë.