Mësimdhënësit e shkollës “Boro Petrushevski” kanë alarmuar për mbylljen e mundshme të disa klasave në gjuhën shqipe. Në dy afatet e para të regjistrimit, nga 200 nxënës të parashikuar, janë regjistruar vetëm 164. Problem kryesor shfaqen drejtimet e komunikacionit, ku profilet “Komunikacion rrugor” dhe “Shpedicion” kanë nga 8 nxënës secili.
Ky numër është nën pragun minimal prej 12 nxënësish për klasë, i caktuar nga Ministria e Arsimit. Mësuesi Kastriot Kasapi theksoi se tre paralele mund të zhduken nëse Ministria e Arsimit nuk ndryshon vendimin. Mbyllja e paraleleve prek drejtpërdrejt fondin e orëve për mësimdhënësit, duke rrezikuar që ata të mbeten pa punë, si ata të lëndëve profesionale, ashtu edhe të lëndëve të përgjithshme.
Drejtori i shkollës, Aleksandar Strezov, vuri në dukje se nxënësit shfaqin interes më të madh për drejtimet e makinerisë dhe profilet katërvjeçare. Ai kërkoi më shumë mbështetje financiare nga shteti për shkollat profesionale, veçanërisht për investime në laboratorë. Afati i fundit për regjistrim është 20 gushti, por ky afat u drejtohet vetëm semimaturantëve me riprovime. Shpëtimi i paraleleve me pak nxënës mbetet në dorën e Ministrisë së Arsimit, nëse ajo vendos të ulë pragun e numrit të nxënësve për klasë.