Avni Islami, ekspert i sigurisë, ka reaguar pas deklaratave të zyrtarëve serbë, duke theksuar se ato dëshmojnë qëndrime të palëkundura të Beogradit kundrejt Kosovës. Ai kujtoi deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, rreth shtatë muaj më parë, ku theksohej se Serbia po pret rrethana më të favorshme për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.
Islami përmendi edhe deklaratat e fundit të Vojislav Sheshelit, duke e cilësuar atë si frymëzues të Vuçiqit. Sipas Islamit, deklaratat e Sheshelit pasqyrojnë qëndrimet e përbashkëta të spektrit politik serb rreth Kosovës, duke treguar se pozita dhe opozita në Serbi ndajnë të njëjtin qëndrim për këtë çështje.
Në këtë kontekst, Islami theksoi rëndësinë që Kosova të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj të sigurisë. Kjo përfshin fuqizimin e Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai nënvizoi se balanca e forcave ushtarake prodhon paqe dhe siguri.