Vendimi për hapjen e hetimeve erdhi pas ankesave të qytetarëve, informacioneve nga organizatat e shoqërisë civile dhe raportimeve mediatike. Pretendimet lidhen me dhunë fizike e psikike gjatë transportimit në stacionin policor, si dhe shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese e ligjore.

Qëllimi i hetimeve është verifikimi i fakteve dhe rrethanave. Institucioni i Avokatit të Popullit do të vlerësojë respektimin e standardeve kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Çdo person i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet, duke respektuar ndalimin absolut të keqtrajtimit, trajtimit çnjerëzor apo poshtërues.

Në njoftim theksohet se çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës ose shkelje të të drejtave kërkon hetim të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe të shpejtë. Gjatë këtij procesi, Avokati i Popullit do të mbledhë informacione e dokumentacion nga institucionet përgjegjëse. Pas përfundimit të hetimeve, gjetjet dhe rekomandimet do të publikohen për opinionin publik.