Këlliçi, i cili foli në Komitetin e Përbashkët të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, u shpreh se për 38 ditë qytetarët shqiptarë kanë protestuar në Tiranë, duke e cilësuar këtë si “Revolucionin e Flamingove”. Sipas tij, sheshi i protestës i përket çdo qytetari që kërkon ndryshim dhe jo partive politike, për herë të parë pas rrëzimit të diktaturës.
Deputeti demokrat mohoi akuzat për nxitje të protestave nga Rusia apo Irani. Ai theksoi se protestat janë një reagim demokratik dhe paqësor ndaj korrupsionit qeveritar. Këlliçi përmendi edhe librin “The Albanian Files”, të cilin e quajti dëshmi të modelit të qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama.
Ai akuzoi qeverinë për përdorimin e ligjeve speciale, ndryshimeve territoriale dhe vendimeve administrative për të favorizuar projekte të caktuara. Këlliçi shtoi se libri dokumenton 523 projekte arkitekturore të hartuara nga arkitektë ndërkombëtarë të përzgjedhur nga kryeministri. Projeketet përfshijnë zona të mbrojtura me ligj, ku ligji është ndryshuar për t'iu përshtatur investitorëve.