Bilall Kasami, bashkëkryetar i VLEN-it, vlerësoi pozitivisht rikonstruimin e qeverisë dhe performancën e ministrave të VLEN-it gjatë dy viteve të kaluara. Ai u shpreh i kënaqur me ndarjen e pozicioneve në kabinetin qeveritar.
Kasami bëri me dije se fokusi kryesor i diskutimeve me kryeministrin ishte gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë për problemin e provimit të jurisprudencës, për të qetësuar situatën mes studentëve. Një prej propozimeve ishte zgjidhja e çështjes përmes ndryshimeve kadrovike.
Ai sqaroi se VLEN-i nuk kishte ndërhyrë në zgjidhjet kadrovike të koalicionit, por theksoi rëndësinë e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit korrekt me kryeministrin. Kasami deklaroi se ministri i mëparshëm i Drejtësisë nuk kishte shfaqur gatishmëri për të gjetur një zgjidhje për çështjen e studentëve. Kërkesa e VLEN-it ishte për t'u përballur me këtë problematikë dhe për të ofruar zgjidhje konkrete.