Tirana pret të mirëpresë një nga ngjarjet muzikore më të mëdha të organizuara në Shqipëri. Koncerti i Kanye West, pjesë e turneut të tij botëror për vitin 2026, mbahet në stadiumin e ri “Eagle Stadium”, ngritur posaçërisht pranë autostradës Tiranë–Durrës.
Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga stadiumi, duke theksuar se interesi ndërkombëtar për koncertin e kaloi atë për finalen e Conference League të mbajtur në Tiranë. Stadiumi është projektuar për të pritur rreth 60 mijë spektatorë, me organizatorët që presin një pjesëmarrje masive. Çmimet e biletave variojnë nga 120 euro për hyrjet standarde deri në 339 euro për paketat VIP.
Organizimi i koncertit i është besuar kompanisë “Streetlife” me seli në Berlin. Kjo kompani është e njohur për organizimin e koncerteve të artistëve ndërkombëtarë si 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj.
Vetëm një muaj më parë, West performoi në Stadiumin Olimpik Ataturk në Stamboll, ku sipas organizatorëve morën pjesë rreth 118 mijë spektatorë.