Autoritetet doganore dhe policore në Rinas kanë goditur një tentativë trafikimi të lëndëve narkotike. Kontrolli me skaner i bagazheve të një fluturimi me itinerar Toronto – Rinas zbuloi dy valixhe me përmbajtje të dyshimtë.

Gjatë kontrollit fizik, në prani të poseduesve të bagazheve, u gjetën dhe u sekuestruan 46 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis sativa. Droga ishte ndarë në 89 paketime të ndryshme. Personat e përfshirë në këtë tentativë trafikimi iu dorëzuan menjëherë Policisë së Shtetit për veprime të mëtejshme procedurale dhe hetimore.

Administrata Doganore deklaroi se do të vijojë forcimin e kontrolleve kufitare dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese për parandalimin e trafikimit të narkotikëve dhe çdo veprimtari tjetër të paligjshme.