Operacioni policor i koduar “Suitcases” u finalizua të premten nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore. Lënda narkotike, e ndarë në 89 paketime, ishte trafikuar nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Kristian Gjoni, 34 vjeç, u arrestua në flagrancë. Gjithashtu, dy shtetase, A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Policia ka bërë me dije se hetimet po vijojnë me përdorimin e metodave speciale. Qëllimi është identifikimi dhe vënia përpara përgjegjësisë penale e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.