Një operacion policor i zhvilluar të martën në orët e para në Agia Paraskevi, Atikë, rezultoi në kapjen e një sasie të madhe droge. Autoritetet greke tentuan të ndalonin për kontroll një automjet me dy persona. Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit dhe u largua me shpejtësi.

Pas ndjekjes, automjeti u ndalua. Gjatë kontrollit, policia gjeti 49 pako me kanabis, me një peshë totale prej 61 kilogramësh e 250 gramësh. Njëri nga personat në automjet u arrestua, ndërsa tjetri u largua dhe po kërkohet. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e rolit të personave të përfshirë në transportin e lëndës narkotike.