Një operacion policor në Divjakë, i koduar "Koordinimi", zbuloi një ambient të përshtatur për tharjen dhe përpunimin e lëndës narkotike. Gjatë kontrolleve në “Rezervuarin e Divjakës”, në tokë shtetërore, u gjetën 44 kilogramë kanabis në proces tharjeje dhe 1426 bimë kanabis të kultivuara.

44 kilogramët e kanabisit dhe një pjesë e bimëve të kultivuara u sekuestruan si provë materiale. Pjesa tjetër e bimëve u asgjësua në vend. Policia shpalli në kërkim autorët e kultivimit të bimëve narkotike.

Në lidhje me këtë rast, u proceduan penalisht tre punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Fier, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Këta janë E. T., 33 vjeç, përgjegjës sektori; F. H., 37 vjeç, specialist menaxhimi; dhe G. A., 53 vjeç, roje. Kontrollet intensive nga toka dhe ajri po vijojnë në qarkun Fier për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike.