Një operacion policor në Divjakë rezultoi me zbulimin e një ambienti të përshtatur për tharjen dhe përpunimin e lëndëve narkotike, si dhe me asgjësimin e rreth 1426 bimëve kanabis. Ngjarja u regjistrua në një tokë shtetërore, në vendin e njohur si “Rezervuari i Divjakës”.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan 37 kilogramë kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë në formë boçesh, duke arritur në një total prej 44 kilogramësh lëndë narkotike. Një pjesë e bimëve të kultivuara u asgjësua në vend, ndërsa pjesa tjetër u mor si provë materiale.

Si pasojë e kësaj veprimtarie, tre punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën “Shpërdorimi i detyrës”. Këta janë E. T., 33 vjeç, përgjegjës sektori; F. H., 37 vjeç, specialist menaxhimi; dhe G. A., 53 vjeç, me detyrë roje.

Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. Kontrollet intensive me dronë dhe në tokë po vazhdojnë në të gjithë territorin e qarkut Fier.