Njësia për Punë Kriminalistike Aerodrom dhe Draçevë, në bashkëpunim me Njësinë për Punë Kriminalistike Kisella Vodë, paraqiti kallëzimet në Prokurorinë Themelore Publike Shkup.

Dy vajza të mitura akuzohen për veprën penale “dhunë”. Një i mitur tjetër akuzohet për “nxitje” në lidhje me dhunën dhe për “incizim të paautorizuar”. Ndërsa një i mitur i katërt akuzohet gjithashtu për “incizim të paautorizuar” të ngjarjes.

Pesë prindër, të identifikuar me inicialet I.V., M.V., M.P., I.A. dhe I.A., janë përfshirë në kallëzimet penale. Ata dyshohen për veprën penale “neglizhim dhe keqtrajtim i fëmijës”.

Incidenti ndodhi në një park në komunën e Aerodromit. Vajza 12-vjeçare u sulmua fizikisht nga disa vajza të mitura, ndërsa të tjerë të mitur të pranishëm e incizuan ngjarjen me telefona celularë.