Konsumimi i kafesë, përfshirë edhe variacionin pa kafeinë, mund të mbrojë mëlçinë nga sëmundje serioze. Një studim i publikuar në revistën “Gastroenterologjia dhe Hepatologjia Klinike” tregon se kafeja ul rrezikun e cirrozës, kancerit të mëlçisë dhe vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet e këtij organi.
Studiuesit ndoqën më shumë se 350 mijë persona për 13 vjet. Ata zbuluan se individët që konsumonin pesë ose më shumë filxhanë kafe në ditë kishin 32% më pak rrezik për cirrozë, 47% më pak rrezik për kancer të mëlçisë dhe 42% më pak rrezik për vdekje nga sëmundjet e mëlçisë.
Edhe konsumimi i moderuar, nga një deri në katër filxhanë kafe në ditë, tregonte një ulje të ndjeshme të rrezikut. Efekti më i fortë u vërejt te ata që konsumonin tre deri në katër filxhanë. Përfitime të ngjashme u vunë re si te kafeja me kafeinë, ashtu edhe te ajo pa kafeinë, duke sugjeruar se komponentët mbrojtës nuk janë vetëm kafeina.
Konsumatorët e kafesë kishin më pak yndyrë, inflamacion dhe fibrozë në mëlçi, ndërsa analizat e gjakut tregonin funksionim më të mirë të organit. Megjithatë, autorët theksojnë se nuk duhet filluar pirja e kafesë vetëm për mbrojtjen e mëlçisë. Ata rekomandojnë një stil jetese të shëndetshëm, me peshë të kontrolluar, kufizim të alkoolit, aktivitet fizik dhe monitorim të sheqerit në gjak, tensionit arterial e kolesterolit për parandalimin e sëmundjeve të mëlçisë.