Bashkëpunimi për projektin e gazit natyror garanton siguri energjetike dhe thellon lidhjet me Shtetet e Bashkuara, ndërsa refuzimi sjell pasoja negative. Kështu deklaroi profesori amerikan Edward P. Joseph, duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet ta miratojë këtë projekt.

Sipas Joseph, gazi natyror, i sjellë përmes një tubacioni nga Maqedonia e Veriut, ofron një “ombrellë më të gjerë sigurie” për Kosovën. Ai vuri në dukje se varësia nga qymyri është dëmtuese dhe nuk e çon vendin drejt së ardhmes. Mosbashkëpunimi në këtë projekt do të ulë sigurinë energjetike dhe do të distancojë Kosovën nga SHBA.

Profesori Joseph kritikoi ashpër edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç për deklaratat rreth Milan Radoiçiçit dhe mungesën e llogaridhënies për sulmin në Banjskë. Ai i cilësoi qëndrimet e Vuçiçit si të papërgjegjshme dhe kërkoi presion më të madh nga SHBA dhe BE ndaj Serbisë për zbardhjen e ngjarjeve të dhunshme dhe respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Joseph theksoi se sulmi në Banjskë përbën shkelje të sovranitetit të Kosovës dhe Marrëveshjes së Kumanovës me NATO-n. Ai shtoi se politika që mban përgjegjëse vetëm Prishtinën, pa adresuar Beogradin, çoi drejtpërdrejt në incidente si ai në Banjskë.