Të mërkurën, Garda Revolucionare e Iranit shënjestroi baza ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt. Ky veprim erdhi pasi Shtetet e Bashkuara nisën sulme ajrore ndaj Iranit, pas akuzave për goditjen e cisternave të naftës në Ngushticën e Hormuzit.
Operacioni i përbashkët iranian, i kryer me raketa dhe dronë, targetoi bazat ushtarake amerikane në Bandar Salman, Distriktin e Pestë Detar të Bahrejnit, si dhe Bazën Ajrore Ali Al Salem në Kuvajt. Gjatë këtij operacioni, Garda Revolucionare theksoi se rrëzoi një dron amerikan MQ-9 që tentonte të ndërhynte.
Në Bahrein dhe Kuvajt u dëgjuan sirenat e sulmit ajror. Ushtria kuvajtiane konfirmoi se mbrojtja ajrore e saj po përballej me sulme “armiqësore” me raketa dhe dronë.
Më herët, SHBA-ja nisi sulme të reja ushtarake dhe revokoi licencën që lejonte Iranin të shiste naftë, duke iu përgjigjur sulmeve mbi tri cisterna në ngushticë. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se më shumë se 60 anije të vogla të Gardës Revolucionare Islamike ishin në mesin e objektivave të goditura. Operacioni amerikan synonte t'i impononte një kosto të lartë Iranit për sulmet ndaj anijeve, të cilat i konsideroi shkelje të armëpushimit. CENTCOM deklaroi se “agresioni i pajustifikuar nga forcat iraniane është një shkelje e qartë dhe e rrezikshme e armëpushimit dhe minon lirinë e lundrimit”.