Funerali gjashtëditor i Ali Khameneit, udhëheqësit suprem të Iranit, ka nisur të shtunën në Teheran. Ceremonia do të shtrihet në pesë qytete iraniane dhe do të përfundojë të enjten me varrimin e tij në Mashhad, vendlindja e liderit. Khamenei u vra në një sulm të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në shkurt, pas 36 vitesh në krye të shtetit.
Zëvendëspresidenti i parë i Iranit, Mohammad Reza Aref, i cili drejton organizimin, e cilësoi këtë ngjarje si “më të rëndësishmen e këtij shekulli” dhe tubimin më të madh që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Qëllimi kryesor është përcjellja e një mesazhi politik dhe fetar rezistence ndaj botës. Me kërkesë të politikanëve irakianë, trupi i Khameneit do të kalojë edhe në qytetet shiite të Irakut, Karbala dhe Najaf.
Mojtaba Khamenei, djali dhe pasardhësi i mundshëm, nuk pritet të marrë pjesë në funeral. Ai u plagos rëndë në sulmin e 28 shkurtit në Teheran, ku humbën jetën Ali Khamenei, vajza e tij, bashkëshorti i saj, bashkëshortja e Mojtabës dhe vajza e tyre 14-muajshe.
Ceremonia nis në Xhaminë e Madhe Mosalla në Teheran, ku trupi i Khameneit do të vendoset për homazhe së bashku me familjarët e tij. Të hënën është planifikuar një marshim prej 10 kilometrash nëpër qendrën e Teheranit, nga Sheshi Imam Hossein deri në Sheshin Azadi, i cili sipas kryetarit të bashkisë, Alireza Zakani, pritet të mbledhë rreth 20 milionë njerëz.
Zyrat shtetërore dhe private në Teheran janë mbyllur nga e shtuna deri të hënën. Kufizime në qarkullim janë vendosur, ndërsa hapësira ajrore e qytetit do të mbyllet të hënën. Forcat ajrore do të patrullojnë për të parandaluar sulme të mundshme nga Izraeli.
Një ceremoni e veçantë për udhëheqësit e huaj është planifikuar për të premten, ku priten përfaqësues nga rreth 30 vende, pa përfshirë ato evropiane apo amerikane. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, akuzoi vendet evropiane se kanë mbajtur “anën e gabuar të historisë”.