Raporti i IPK-së thekson praninë e mjeteve të forta, si tullë betoni, lopatë, tavolinë, karrige dhe kabllo, në dhomën e lavanderisë së Qendrës së Ndalimit. Këto objekte përbëjnë rrezik për sigurinë e të ndaluarve dhe zyrtarëve mbikëqyrës. Pavarësisht rekomandimeve të mëparshme për largimin e tyre, nuk është vepruar për rritjen e standardit të sigurisë.

Përveç kësaj, kushtet higjienike në qendër u vlerësuan si jo të kënaqshme. Në dhoma u gjetën mbetje ushqimore, ndërsa tualetet dhe lavamanët nuk pastrohen si duhet. Dyshekët dhe jastëkët janë të njollosur dhe mungojnë çarçafët. Megjithëse stacioni ka dy pastrues civilë dhe kontratë për shërbime pastrimi, niveli i higjienës mbetet i ulët.

Pas raportit, IPK-ja ka dërguar shtatë rekomandime institucioneve përgjegjëse. Policia Rajonale e Gjakovës njoftoi se katër prej tyre janë zbatuar menjëherë, ndërsa tre të tjera janë në proces implementimi. Kjo qendër ndalimi, e cila ndodhet në bodrumin e stacionit policor, përdoret kryesisht për ndalime deri në 48 orë. Një rast arratisjeje ka ndodhur në fund të vitit të kaluar, ku një i ndaluar hapi me forcë derën, por u kap shpejt nga policia.