INSTAT raportoi se 38.5% e të rinjve në këtë grupmoshë rezultojnë të papunë aktivë, duke kërkuar punë dhe të gatshëm për tregun e punës. Një pjesë tjetër, 1.6%, klasifikohet si e dekurajuar dhe jashtë tregut të punës, ndërsa 19.5% janë të angazhuar në detyra familjare, si rritja e fëmijëve ose kujdesi për anëtarët e familjes.

Kategoria “të tjera” përbën 40.4%, duke sinjalizuar një informalitet ose pasiguri të lartë në deklarimin e statusit ekonomik. Krahasuar me vitin paraardhës, kategoria e të dekurajuarve shënoi një ulje të lehtë me 0.4 pikë përqindje, megjithatë, ky ndryshim nuk tregon një përmirësim thelbësor në integrimin e të rinjve në punë.

Meshkujt tregohen më aktivë në tregun e punës se femrat. Rreth 46.5% e meshkujve NEET kërkojnë aktivisht punë, ndërsa te femrat kjo përqindje është 31.9%.

Niveli i të rinjve NEET në Shqipëri, rreth 20%, është thuajse dyfishi i mesatares së BE-së. Në rajon, Kosova ka nivelin më të lartë të NEET me rreth 30%, e ndjekur nga Shqipëria. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi lëvizin rreth 17%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia shënojnë nivele më të ulëta, por ende mbi standardet evropiane.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të gjithë popullsinë ishte 8.4% vitin e kaluar, ndërsa për grupmoshën 15-24 vjeç arriti në 21.5%, gati trefish më shumë. Ndërkohë, numri i të punësuarve mbi 65 vjeç u rrit nga 119,862 në 2024 në 130,274 në 2025. Këta persona, kryesisht të vetëpunësuar në bujqësi pa kontribute, konsiderohen të punësuar edhe kur angazhohen në ferma të vogla për vetë-konsum.