Një task-forcë, e përbërë nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Bashkia Pogradec dhe Policia e Shtetit, inspektoi bregliqenin e Pogradecit. Qëllimi ishte monitorimi i zbatimit të lejeve të stacioneve të plazhit dhe respektimi i sipërfaqeve publike.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Shpëtim Çiku, deklaroi se nuk u konstatuan problematika apo shkelje gjatë kontrolleve fillestare. Ai theksoi se inspektimet do të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit turistik për të parandaluar zënien e paligjshme të plazheve dhe mospërmbushjen e kushteve të lejeve.
Këtë sezon, mbi 60% e bregliqenit është caktuar për plazhe publike, ndërsa rreth 40% është për stacione private. Kontrollet javore do të garantojnë respektimin e kësaj ndarjeje dhe do të shmangin abuzimet nga operatorët turistikë.
Përveç verifikimit të stacioneve të plazhit, inspektimi përfshiu edhe masat e sigurisë. U kontrollua prania e vrojtuesve të plazhit, vendosja e sinjalistikës detare, bovave për kufizimin e mjeteve lundruese dhe shënimi i zonave të thellësisë, duke garantuar sigurinë e pushuesve.