Ndërmarrja Infrakos u ka bërë thirrje qytetarëve, operatorëve ekonomikë dhe të gjithë përdoruesve të rrugëve që të respektojnë rregullat e sigurisë pranë infrastrukturës hekurudhore. Apeli fokusohet veçanërisht te linja Fushë Kosovë–Pejë.
Në këtë linjë janë instaluar laura automatike në vendkalimet hekurudhore. Këto laura funksionojnë përmes një sistemi sensorësh, duke garantuar sigurinë në trafikun hekurudhor dhe rrugor.
Infrakos kërkon nga përdoruesit e rrugëve dhe operatorët e makinerive të respektojnë distancën e sigurisë nga trupi i hekurudhës. Ata nuk duhet të afrohen më pak se 3 metra nga binarët, përveç rasteve kur janë të autorizuar dhe punojnë në koordinim me autoritetet përgjegjëse.
Çdo shkelje e këtij brezi sigurie do të monitorohet përmes sistemit të kamerave. Në rast të konstatimit të shkeljeve, do të ndërmerren veprime përkatëse sipas legjislacionit në fuqi, duke përfshirë raportimin te organet kompetente. Infrakos thekson se siguria në hekurudhë është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon bashkëpunim nga të gjithë.