Dokumente të reja arkivore të Ministrisë së Punëve të Brendshme zbulojnë detaje nga ngjarjet e ambasadave në korrik 1990. Më 1 korrik, pas ambasadës gjermane, automjeti me targa TR 01-928 tentoi të shtypte policin e shërbimit, i cili qëlloi dy herë.
Makina u përplas me murin, ndërsa katër deri në pesë persona zbritën nga kabina dhe karroceria e mbuluar, duke hyrë në ambasadë. Në automjet u gjetën njolla gjaku. Ky incident, i raportuar në një komunikatë operative të datës 2 korrik 1990, është pjesë e dosjeve tashmë të deklasifikuara të asaj periudhe.
Komunikata të tjera operative të 3 dhe 7 korrikut 1990 regjistrojnë arrestime të shumta në lidhje me ngjarjet te ambasadat. Luan Bektash Kokona, 18 vjeç, u ndalua pasi kundërshtoi policin me dhunë te ambasada hungareze. Ramazan Sejfulla Zifi, 36 vjeç, u ndalua për goditjen e punonjësit të policisë te ambasada turke, dhe Sokol Xhemal Qordezi, 29 vjeç, për goditjen e policit gjatë tentativës për t’u futur në ambasadë. U ndaluan gjithashtu Xhevdet Agolli, Ilmi Agolli, Arjan Mançe, Lefter Ferhati, Napolon Aleksi, Ardian Konomi, Avdio Lekaj, Ilia Beshiri, Shkëlqim Halili me akuzat për “përmbysje të pushtetit popullor” dhe “organizim kundërrevolucionar” pranë ambasadave.
Më 3 korrik, brenda rrethimit të ambasadës kubaneze u hodh eksploziv, duke thyer xhama. Për këtë rast u ndaluan Përparim Kadria, Agim Sadria dhe Muharrem Thorra. Më 6 korrik, Përparim Dodi u ndalua për kundërshtim dhe fyerje të policit. Julja Kruja, Pëllumb Petriti, Sulejman Dervishi dhe Mehdi Hidri u ndaluan pasi qëlluan me gurë policin te ambasada kineze. Të dënuarit politikë në Repartin 318 Kosovë, Lushnjë, refuzuan ushqimin më 5 dhe 6 korrik si shenjë solidariteti me ngjarjet e ambasadave, duke kërkuar takim me ministrin e Drejtësisë dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë. Gjithashtu, ata mbajtën qëndrim negativ ndaj fjalës së Ramiz Alisë në televizor.