Terapia me rituksimab, një ilaç i aprovuar prej dekadash, ka mundësuar maturimin e qelizave vezë dhe tre gra kanë lindur fëmijë të shëndetshëm pas trajtimit. Ky zbulim ofron shpresë për gratë tek të cilat vezoret kanë ndaluar funksionimin para moshës 40-vjeçare.

Studimi, i botuar në revistën NEJM Evidence, përfshiu 10 gra të reja me formë autoimune të insuficiencës ovariane. Sistemi imunitar i tyre sulmonte gabimisht folikulat e vezoreve. Para trajtimit me rituksimab, asnjëra prej tyre nuk reagoi ndaj stimulimit hormonal të vezoreve. Pas terapisë, gjashtë nga dhjetë gra zhvilluan folikula nga të cilat u morën qeliza vezë me sukses.

Dr. Angelica Lindén Hirschberg nga Instituti Karolinska në Suedi, udhëheqëse e studimit, shpjegon se rezultatet sugjerojnë ekzistencën e një rezerve të qelizave vezë që mund të riaktivizohet pas ndalimit të procesit autoimun. Pesë gra patën qeliza vezë mjaft cilësore për ngrirje ose fekondim, dhe tre prej tyre lindën fëmijë të shëndetshëm pas transferimit të embrioneve. Transferimi i embrioneve u krye një vit pas terapisë për arsye sigurie.

Rituksimabi, i miratuar në vitin 1997 për trajtimin e kancerit të gjakut, përdoret gjithashtu për sëmundje autoimune. Ekspertët e vlerësojnë studimin si inkurajues, por theksojnë se numri i pjesëmarrëseve ishte i vogël. Nevojiten studime më të mëdha klinike për të konfirmuar efikasitetin dhe sigurinë, dhe një studim i tillë është tashmë në zhvillim.