Modeli i ri Hyundai Elantra, i cili debutoi në Panairin e Makinave në Busan (në Korenë e Jugut i njohur si Avante), shfaqet me një dizajn tërësisht të ri, përmasa më të mëdha dhe teknologji moderne. Pas prezantimit, janë shfaqur rendera që paraqesin Elantrën në version karavan.
Këto vizualizime ruajnë pjesën e përparme të automjetit, ndërsa pjesa e pasme është zgjatur për të krijuar një siluetë tipike karavani, me çati më të gjatë, dritare anësore më të mëdha dhe një bagazh më praktik. Shumë vëzhgues mendojnë se ky format i shkon më mirë se versioni klasik sedan.
Megjithatë, pavarësisht interesit, versioni karavan i Elantra-s ka shumë mundësi të mos prodhohet. Hyundai gradualisht po heq dorë nga prodhimi i karavanëve, duke u fokusuar në SUV-të, të cilët kanë kërkesë më të lartë dhe janë më fitimprurës. Përfaqësuesit e kompanisë kanë deklaruar se pas përfundimit të prodhimit të modelit i30 Wagon, nuk planifikohet zhvillimi i karavanëve të rinj.
Modeli i ri Elantra pritet të dalë fillimisht në tregun e Koresë së Jugut. Ende nuk është konfirmuar rikthimi i versionit global në Evropë.