Ministri Ferit Hoxha takoi këtë të hënë në Tiranë një delegacion të Komisionit për Çështjet Evropiane të Asamblesë Kombëtare të Francës. Delegacioni drejtohej nga kryetari Pierre-Alexandre Anglade.

Gjatë takimit, palët diskutuan zhvillimet aktuale në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. U theksua rëndësia e ruajtjes së ritmit dhe besueshmërisë së procesit të anëtarësimit për vendet aspirante.

Ministri Hoxha rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për reforma të vazhdueshme dhe avancim drejt integrimit evropian. Ai deklaroi se Shqipëria ka një plan të qartë dhe rezultate konkrete, me ambicien për t'u bërë anëtare e BE-së brenda kësaj dekade.

Hoxha vlerësoi mbështetjen e Francës si thelbësore për procesin e zgjerimit. Angazhimi i Parisit, përfshirë dimensionin parlamentar, forcon besueshmërinë e perspektivës evropiane për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.