Takimi u mbajt në kuadër të Samitit të 36-të të NATO-s. Ministri Hoxha dhe Ministrja Anand u dakordësuan për thellimin e dialogut politik dhe rritjen e mundësive të reja për zgjerimin e bashkëpunimit.
Hoxha theksoi rëndësinë e shtimit të bashkëpunimit në sektorët e ekonomisë dhe tregtisë. Në këtë kontekst, u veçua nisja e fluturimeve direkte midis Tiranës dhe Torontos, një hap që do të forcojë lidhjet dhe shkëmbimet mes qytetarëve të dy vendeve.
Gjatë diskutimeve, u trajtua edhe nisma për krijimin e Bankës së Mbrojtjes, Sigurisë dhe Qëndrueshmërisë. Kjo iniciativë synon krijimin e një mekanizmi financiar shumëpalësh për të mbështetur zhvillimin e aftësive në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë. Ministri Hoxha deklaroi se kjo bankë do të kontribuojë ndjeshëm në avancimin e objektivave të përbashkëta.
Ministrat shkëmbyen pikëpamje mbi dinamikën aktuale të sigurisë në Evropë. Ata riafirmuan mbështetjen e palëkundur për Ukrainën.