Procedurat standarde për rinovimin e lejes së integruar A për “Titan-Usje” janë në zhvillim. Ministri Hoxha premtoi një procedurë transparente dhe informim të vazhdueshëm të publikut për të gjitha hapat gjatë rinovimit të lejes. Kjo deklaratë vjen pas kërkesës së fabrikës së çimentos, në fund të majit, për rinovimin e lejes së saj.
Eko-aktivistët po e ndjekin me vëmendje procesin. Ata kanë protestuar, duke akuzuar kompaninë se kërkon të vazhdojë punën me vlerat e vjetra kufitare të ndotjes. Një debat publik u mbajt të premten, ku morën pjesë qytetarë, shoqata ekologjike, përfaqësues të kompanisë dhe institucione kompetente.
Gjatë debatit, nga Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë “Megjashi” u kërkua garanci se fëmijët që jetojnë pranë fabrikës nuk do të ekspozohen ndaj ndotjes. Ministria e Mjedisit Jetësor u përgjigj se do të ofrojë përgjigje me shkrim. Nisma qytetare “Stop për USJE” shprehu dyshime, duke theksuar se leja e re përmban limite vetëm për tre ndotës, vlera të cilat janë identike me lejen e vjetër dhe deri në tetë herë më të larta se standardet evropiane.
Përfaqësuesit e kompanisë, gjatë debatit publik, prezantuan mënyrën e tyre të punës, duke pohuar se respektojnë standardet evropiane dhe monitorohen nga Ministria e Mjedisit Jetësor.