Hoteli “Jadran”, një objekt i mbrojtur kulturore, u ofrua për shitje nga kompania “Makedonija Turist”. Megjithatë, Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore refuzoi blerjen në emër të shtetit.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, shteti ka të drejtën e parablerjes për objekte të mbrojtura. Pronari mund t’ia shesë objektin një blerësi tjetër me një çmim jo më të ulët se ai i shënuar në ofertë (1.9 milionë euro) dhe me kushte jo më pak të favorshme. Në rast se pronari shet me kushte më të mira, shteti mund të ngrejë padi për anulimin e kontratës brenda pesë viteve.

Hoteli “Jadran”, së bashku me hotelin “Bristol” dhe objekte të tjera si “Birraria” dhe një ndërtesë trekatëshe në qendër të Shkupit, janë vendosur në listën e shitjes nga aksionarët e rinj të “Makedonija Turist”. Këta aksionarë, mes të cilëve “Tregu i Shkupit”, “Promedika” dhe “MG Fashion”, erdhën pas ndryshimeve në pronësi që kulmuan në vjeshtën e vitit 2023 me daljen e aksionarit afatgjatë Done Tanevski.

Që nga qershori i këtij viti, aksionari më i madh në “Makedonija Turist” është “Poliverzum”, në pronësi të Baki Ajdinit. Kjo kompani zotëron mbi 22% të aksioneve. Fatmir Etemi, një figurë kyçe në strukturën e re të pronësisë, ka bërë të ditur se fondet nga shitja e këtyre pronave do të përdoren për blerjen e një parcele prej mbi 8,000 m² në Lisiçe të Shkupit. Aty planifikohet ndërtimi i një kompleksi afarist-banesor me hotel dhe qendër tregtare, me një sipërfaqe bruto prej pothuajse 35,000 m².

Struktura e pronësisë së “Makedonija Turist” vazhdon të jetë dinamike, me transferime të reja aksionesh. “Promet Still” i Abedin Aliut është në proces të marrjes së mbi 15% të aksioneve të Zoran Antiqit. Aksionet e Simeon Pavllovit dhe “Çeza Komerc” kanë kaluar te Jusuf Kamber, i cili tani zotëron mbi 10%.