Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidromorava njoftoi se do të intensifikojë kontrollet dhe do të marrë masa kundër keqpërdoruesve të ujit. Gjatë inspektimeve të fundit në fshatin Zhegër, ekipet në terren dokumentuan raste të përdorimit të ujit të pijshëm për qëllime të paautorizuara.
Uji përdorej për larjen e rrugëve, automjeteve dhe ujitje, ndërkohë që kërkesa për furnizim ishte e lartë. KRU Hidromorava theksoi se përdorimi i ujit jashtë nevojave bazike, si dhe lidhjet ilegale, dëmtojnë rëndë furnizimin për qytetarët e tjerë.
Kompania paralajmëroi shkyçje pa paralajmërim për të gjithë shkelësit. Hidromorava u bëri apel qytetarëve për bashkëpunim dhe përdorim të përgjegjshëm të ujit, me qëllim garantimin e furnizimit të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët.