Çela theksoi se që nga viti 2020 janë ndërmarrë nisma për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve. Këtu përfshihen ngritja e strukturave të posaçme dhe memorandume me Doganat, Tatimet, Policinë e Shtetit dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Sipas tij, këto nisma kanë sjellë përmirësim në shifra.
Prokurori i Përgjithshëm shtoi se sistemi i drejtësisë është shpëtuar nga kolapsi. Ai e cilësoi ekzekutimin e letërporosive si një indikator të rëndësishëm të punës. Prokuroritë operojnë me 60% të kapaciteteve, duke shqyrtuar deri në 40% të letërporosive. Aktualisht janë 22 mijë procedime penale.
Çela theksoi nevojën për më shumë burime njerëzore dhe përmirësim të infrastrukturës. Numri i çështjeve të mosfilluara mbetet i lartë, rreth 17 mijë. Ai u shpreh se plotësimi me numrin e magjistratëve do të rriste kapacitetin. Prokurori i Përgjithshëm po ashtu ngriti shqetësimin për mungesën e hapësirave ku të vendosen prokurorët dhe përmendi një premtim për një godinë të re deri në vitin 2030.
Lidhur me pavarësinë e prokurorëve, Çela e cilësoi atë thelbësore, por ngriti shqetësimin për mungesën e një mekanizmi efikas kontrolli. Ai përmendi vlerësimin e prokurorëve çdo pesë vjet dhe inspektimin, duke theksuar se inspektimi duhet të ketë më shumë fuqi, sidomos për çështjet që lidhen me Kuvendin.