Zoti Isufaj theksoi rëndësinë e sigurimit të provave të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës. Ai shtoi se çdo hap po merret me kujdes, duke pasur parasysh natyrën delikate të çështjes.
Kryeprokurori foli edhe për aksionet e fundit kundër krimit të organizuar. Në një operacion ndërkombëtar të realizuar më 30 qershor, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe franceze, të koordinuar nga Europol dhe Eurojust, janë sekuestruar asete me vlerë 1 milion euro. Këto asete lidhen me një rrjet të pastrimit të parave të përfituara nga trafikimi i drogës. Në shtator të vitit 2025, në kuadër të këtij rasti, u arrestuan dy persona, të dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar dhe pastrim parash.
Më 30 qershor, Policia e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, kreu bastisje kundër krimit të organizuar, si pjesë e hetimit transnacional për pastrim parash. Blerim Isufaj vuri në dukje se goditjet ndaj grupeve kriminale janë investim në sigurinë e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe rrisin besimin te institucionet e drejtësisë. Ai përmendi edhe një takim të rëndësishëm me përfaqësues nga Spanja, Franca, Italia, Gjermania, Shqipëria, Britania e Madhe dhe Europol, ku u shpreh kënaqësia për punën e prokurorisë dhe u ra dakord për vazhdimin e bashkëpunimit kundër krimit të organizuar. Po ashtu, Isufaj theksoi pjesëmarrjen e Prokurorisë Speciale në operacionin ndërkombëtar “Switch off” në janar, kundër krimit financiar.