Rastet e helmimit janë konfirmuar nga Qendra e Shëndetit Publik të Prilepit. Simptomat u shfaqën gjatë dy ditëve pas vaktit të konsumuar nga turni i parë i punonjësve. Nga 61 punonjës të ekspozuar, 41 prej tyre kanë paraqitur simptoma.

Njëzet e shtatë punonjës kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Departamentin e Sëmundjeve Infektive në spitalin e qytetit. Ata kanë pasur temperaturë të lartë, të përziera, diarre dhe dhimbje barku. Asnjëri prej tyre nuk është shtruar në spital; ata kanë marrë trajtim dhe po kurohen në shtëpi.

Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, së bashku me Qendrën e Shëndetit Publik, kryen inspektim në "Mikrosam" dhe në kompaninë e shërbimit ushqimor. Si rezultat, kuzhina e furnizuesit të ushqimit dhe mensa në kompaninë "Mikrosam" janë mbyllur.

Qendra e Shëndetit Publik pret rezultatet e analizave për të përcaktuar llojin dhe shkakun e helmimit.