Haxhiu kërkoi që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet pa vonesa dhe përparimi i vendit të vlerësohet mbi bazën e meritave. Ajo theksoi se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por një proces të drejtë që do t'i hapte rrugën statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave.
Haxhiu paraqiti progresin e Kosovës në reformat evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, duke theksuar orientimin euroatlantik të vendit. Ajo shtoi se ky orientim është i qartë, i qëndrueshëm dhe mbështetet gjerësisht nga qytetarët.
Gjatë takimit, u diskutua edhe për dialogun me Serbinë, çështjet e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin në Banjskë. Haxhiu theksoi se procesi evropian duhet të bazohet në zbatimin e marrëveshjeve dhe përgjegjësinë e barabartë të të gjitha palëve.