Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka theksuar se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg do të gjente shkelje në procesin gjyqësor të Gjykatës Speciale. Kjo vlerësohet e vlefshme nëse Kosova do të mund të dërgonte çështje në këtë gjykatë.

Specialja, një ditë më parë, caktoi 16 shtatorin si datë për shpalljen e vendimit në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Paraprakisht, afati i përmendur ishte 20 korriku. Të katër janë në paraburgim prej gjashtë vjetësh.

Gjykata e arsyetoi shtyrjen e vendimit me “lëndën voluminoze”. Megjithatë, Hasani shpjegon se Gjykata e Strasburgut do ta hidhte poshtë këtë argument, bazuar në precedentë ku shtete si Shqipëria kanë përdorur justifikime të ngjashme për zvarritje. Ai shton se lënda duhej të ishte racionalizuar që në fillim, duke shfrytëzuar edhe teknikat moderne si inteligjenca artificiale.

Kosova nuk ka të drejtë të dërgojë lëndë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi nuk është anëtare e Këshillit të Evropës.