Dënimi i tij i parë erdhi në shtator të vitit 1935, si udhëheqës i kryengritjes antizogiste të Fierit. Vendimi fillestar për dënim me vdekje u shndërrua në burgim të përjetshëm, falë presionit popullor dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare.

Dënimin e dytë me vdekje Reçi e mori në maj 1942, nga Gjykata e Lartë Ushtarake, pas kapjes në flagrancë gjatë një aksioni pranë një baze ushtarake italiane afër Kasharit. Edhe këtë herë, dënimi u konvertua në burgim dhe internim në ishujt italianë.

Dënimi i tretë dhe fatal u dha në janar 1948, nga Gjykata e Lartë Ushtarake e regjimit komunist, me akuzën “armik i popullit dhe i shtetit”. Prokurori Nevzat Haznedari kërkoi dënimin maksimal. Kryetari i gjykatës, Niko Çeta, e pyeti Reçin për fjalën e fundit. Reçi iu përgjigj me pyetjen: “Unë jam dënuar me vdekje në regjimin e Zogut si antizogist. Në okupacionin fashist italian, si antifashist. Prapë sot në regjimin e Partisë Komuniste, po dënohem me vdekje si antikomunist. Ju pyes: Çfarë jam unë atëherë?” Çeta nuk ofroi një përgjigje të qartë, duke iu referuar vetëm si “armik i popullit”. Hasan Reçi u ekzekutua me pushkatim, pa marrë përgjigje për pyetjen e tij.

Reçi, bashkë me Qemal Kadeshan, themeluan lëvizjen sindikaliste në Shqipëri në vitin 1928, duke krijuar "Shoqatën e Mësuesve" dhe "Shoqatën e Rrobaqepësve". Ai u përfshi herët në celulat komuniste, duke u caktuar nga Kominterni si anëtar i një qendre organizative për krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Ndryshe nga vija “bolshevike”, Reçi përkrahte “vijën çlirimtariste” që synonte një Shqipëri demokratike dhe jo një diktaturë të proletariatit.