Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Shkollës Kombëtare të Fluturimit, duke e vlerësuar atë si një hap drejt modernizimit të Forcave të Armatosura. Rama falënderoi partnerët e Elbit Systems, një kompani globale në industrinë ushtarake, për bashkëpunimin në këtë projekt.
Sipas Ramës, Shkolla Kombëtare e Fluturimit do të jetë e hapur për trajnimin dhe certifikimin e pilotëve të rinj shqiptarë dhe atyre nga vendet anëtare të NATO-s në rajon, me fokus të veçantë Kosovën. Ministri i Mbrojtjes është ngarkuar të diskutojë interesin për trajnimin e pilotëve të ardhshëm të Kosovës, si dhe të dy vendeve fqinje anëtare të NATO-s.
Rama theksoi se Forcat e Armatosura kanë njohur përmirësime të dukshme në dekadën e fundit, duke arritur pagat më të larta në rajon. Qëllimi është që pagat e tyre të barazohen me mesataren e vendeve të NATO-s, si pjesë e vizionit “Shqipëria 2030” dhe procesit të integrimit në BE. Ai vuri në dukje edhe rritjen e interesit të të rinjve për t'iu bashkuar Forcave të Armatosura. Flota ajrore e vendit është tani plotësisht e gatshme, përfshirë përgatitjen për sezonin e zjarreve.