Gjatë takimit, Hamza falënderoi Terras për angazhimin e tij dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën. Ai vlerësoi konfirmimin se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe mbështetjen për aplikimin e vendit për anëtarësim.
Të dy vlerësuan se raporti i Parlamentit Evropian është një mesazh i rëndësishëm mbështetjeje, por edhe një thirrje për Kosovën që të mos humbasë kohë për shkak të krizave të brendshme politike dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve.
Hamza theksoi se Partia Demokratike e Kosovës ndan shqetësimin e shprehur në raport lidhur me pamundësinë e krijimit të institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë. Ai shtoi se Kosovës i nevojiten institucione funksionale që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe rindërtojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.
Kryetari i PDK-së deklaroi se stabiliteti nuk duhet të nënkuptojë vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisjen demokratike, dialogun politik dhe respektimin e Kushtetutës. Hamza shprehu mirënjohjen për rolin e eurodeputetit Riho Terras dhe të Parlamentit Evropian si mbështetës të fuqishëm të Kosovës dhe aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë ditës, eurodeputeti Terras takoi edhe U.D. Presidenten e Kosovës, Albulena Haxhiun.