Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, prezantuan skemat e reja të granteve. Skema për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) ka një buxhet prej 1.16 milionë eurosh. Ajo synon të mbështesë 40 biznese, duke nxitur zhvillimin e teknologjive të avancuara, si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike dhe blockchain, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kontribuon me 600 mijë euro në këtë skemë, ndërsa LuxDev me 560 mijë euro. Nga ky fond, 760 mijë euro janë dedikuar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, kurse 400 mijë euro për bizneset start-up.

Skema tjetër e granteve, me vlerë 880 mijë euro, do të financojë projekte për energji të pastër. Kjo skemë mbështet investimet në sisteme solare, efiçiencë energjetike dhe pajisje që ulin konsumin e energjisë në ndërmarrjet prodhuese. Këto skema u realizuan në bashkëpunim me Qeverinë e Luksemburgut. Aplikimet për grante do të bëhen përmes platformës e-Kosova. Detajet e thirrjeve publike do të publikohen në kanalet zyrtare të MINTI-t dhe KIESA-s.

Kusari theksoi se mbështetja totale për bizneset e Kosovës ka arritur në 7.8 milionë euro, duke përfshirë edhe katër skema të tjera të lansuara gjatë qershorit. Këto skema shtesë mbulojnë gratë ndërmarrëse, makineritë prodhuese dhe përpunuese, digjitalizimin e bizneseve dhe certifikimin e produkteve.