Goli i shënuar nga Josko Gvardiol për Kroacinë në minutën e 103-të kundër Portugalisë në 1/16-at e Kupës së Botës u anulua pas verifikimit nga VAR-i. Vendimi siguroi fitoren 2-1 të Portugalisë dhe kualifikimin e saj në çerekfinale.
FIFA shpjegoi zyrtarisht se aksioni nisi me një krosim nga Ivan Perisic. Igor Matanovic preku topin lehtë me kokë, duke e devijuar atë te mbrojtësi portugez Renato Veiga dhe më pas te Mario Pasalic. Pasalic asistoi për Gvardiolin, por ishte në pozicion jashtë loje në momentin kur Matanovic preku topin.
Vendimi u konfirmua nga teknologjia e integruar në topin zyrtar të Botërorit, Adidas Trionda. Sensorët brenda topit, pjesë e teknologjisë Connected Ball, regjistruan kontaktin minimal të Matanovicit me topin. Të dhënat u transmetuan në kohë reale në dhomën e VAR-it. Pamjet televizive, me grafikët përkatës, konfirmuan saktësinë e vendimit arbitrar.