Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme, finalizuan operacionin e koduar "Network". Ky operacion u zhvillua pas disa javësh hetimesh proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër.
Gjatë ndërhyrjes, u arrestuan në flagrancë administratorja F. P., 37 vjeçe, dhe tre bashkëpunëtorët L. M., 43 vjeç, B. N., 41 vjeç, dhe N. B., 42 vjeç. Këta persona dyshohen se organizonin dhe drejtonin veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik. Në ambientet e subjektit u kapën gjithashtu 61 punonjës, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Policia sekuestroi 152 pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë dhe laptopë, që dyshohet se përdoreshin për mashtrimin. Gjithashtu, u gjetën dhe sekuestruan një shumë parash dhe materiale të tjera me interes për hetimin. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Shkodër për veprime të mëtejshme.