Prokurorja Sahide Gashi kërkoi burgim të përjetshëm për të tre të akuzuarit në seancën e kaluar. Aktakuza i ngarkon ata për vrasjen e tre personave, përfshirë dy të mitur, me motive hakmarrjeje. Sulmi ndodhi në bashkëpunim dhe ishte i drejtuar kundër shoferit të autobusit, Gani Gjokaj.

Sipas aktakuzës, familja Mehmetaj e fajësoi Gjokajn për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj. Halil Mehmetaj, babai i viktimës, ishte betuar për hakmarrje. Ai vendosi orën e tij të dorës në arkivolin e vajzës gjatë ceremonisë mortore.

Të akuzuarit studiuan terrenin me kujdes, duke evituar zonat me kamera, dhe i zunë pritë autobusit që vinte nga Gjakova. Njëri prej tyre hapi zjarr, duke lënë tre të vdekur. Kastriot Mehmetaj, pas marrjes së pushkës automatike AK-47, doli në rrugë duke u shtirur i dehur për të detyruar shoferin të ulte shpejtësinë.

Nga rreth 6 metra largësi, Kastriot Mehmetaj qëlloi për vdekje Gani Gjokajn, si dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., duke plagosur rëndë edhe F.T. Pas ngjarjes, ai iku në drejtim të fshatit Shaptej, ku e priste Kreshnik Mehmetaj me veturë. Pasi mbërriti në shtëpi, Kastriot Mehmetaj shkatërroi armën.

Halil Mehmetaj akuzohet se, nga qershori 2020 deri në nëntor 2021, shtyu Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn në vrasjen e Gani Gjokajt, të cilin e konsideronte shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tij.