Një analizë e Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ) zbulon se 46 nga 81 njësi të qeverisjes vendore nuk kanë hapur asnjë tender për shënjimin rrugor nga viti 2023 deri në vitin 2025. Kjo situatë prek rreth 560 mijë banorë dhe përfshin komuna të mëdha si Aerodrom, Çair, Butel dhe Saraj në Shkup.

Analiza thekson se edhe kur ka prokurime, mungojnë kriteret e qarta për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e bojës. Në shumë raste, specifikimi teknik kufizohet në dy fjalë: "ngjyrë për rrugë", pa kritere të matshme cilësie. Kjo u lejon kontraktorëve të përdorin çdo lloj boje, duke ndikuar direkt në zbehjen e shpejtë të vijave rrugore.

Dallime të mëdha vërehen edhe në çmimet e prokurimit. Çmimi i bojës varion nga 132 deri në 296 denarë për kilogram, ndërsa shërbimi i shënjimit varion nga 281 deri në 802 denarë për metër katror. Disa komuna të vogla, si Berova dhe Resnja, bëjnë tender çdo vit, ndërsa komuna më të mëdha, me trafik intensiv, e bëjnë këtë rrallëherë.

Mungesa e standardizimit në prokurimin publik është një tjetër problem. Disa komuna blejnë vetëm bojën dhe punën e kryejnë ndërmarrjet publike lokale, ndërsa të tjerat kërkojnë shërbim të plotë nga kompani private përmes një tenderi të vetëm. Ky mosstandardizim e bën të vështirë krahasimin dhe monitorimin efektiv të prokurimeve.