Ristov akuzohet për fshehje pasurie dhe pastrim parash, pasi gjatë një kontrolli në shtëpinë e prindërve të tij u zbuluan 350 mijë euro të fshehura në mur. Ekspertët e angazhuar për analizat e ADN-së konfirmuan se në folitë e aluminit, ku ishin mbështjellë paratë, u gjetën gjurmë biologjike që përputhen me ADN-në e të pandehurit.

Prokurorja Iskra Haxhivalievska e vlerësoi dëshminë e ekspertëve si mbështetje thelbësore për akuzën. Ajo theksoi se ekspertiza u shpjegua në mënyrë të detajuar dhe kundërshtimet e mbrojtjes janë procedurale, me qëllim zvarritjen e procesit. Prokuroria shprehu kënaqësi me rezultatet e prezantuara, duke theksuar se u konfirmua pa dyshim mënyra e arritjes së këtyre provave.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës Zvonko Davidoviq kundërshtoi fuqishëm vlefshmërinë e ekspertizës. Ai argumentoi se analizat nuk ishin kryer mbi paratë e sekuestruara, por vetëm mbi copëza të folive të aluminit. Davidoviq ngriti pikëpyetje rreth mënyrës së ruajtjes së provave, përzgjedhjes së mostrave dhe mungesës së dokumentacionit që duhet të evidentonte çdo veprim me materialin provues. Ai theksoi se materiali provues ishte hapur pa procesverbal gjatë 80 ditëve sa ishte ruajtur në kasafortën e MPB-së, ndërkohë që institucioni nuk kreu vetë ekspertizat.

Ristov mohon përgjegjësinë, duke pretenduar se paratë ishin pronë e prindërve të tij. Prokuroria këmbëngul se provat e mbledhura e lidhin atë me mjetet financiare të zbuluara.