Kryebashkiaku Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë, duke njoftuar gjykatën se ka përfunduar të gjitha aktet dhe kërkon të përfaqësohet nga avokati i tij mbrojtës.
Avokatja Ajola Xoxa, gjithashtu e munguar, i drejtoi gjykatës një kërkesë për shtyrjen e seancës dhe pezullimin e shqyrtimit gjyqësor për 63 ditë, bazuar në një raport mjekësor pas lindjes së fëmijës së saj. Sipas avokatit Gurali Brahimllari, Xoxa ka lindur me operacion më 29 qershor dhe nuk mund të komunikojë lirshëm për një mbrojtje efektive. Ajo nuk ka autorizuar mbrojtësit të vijojnë pa praninë e saj gjatë periudhës së lejes së lindjes.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, kundërshtoi kërkesën për pezullim, duke theksuar se ligji parashikon shtyrje deri në 15 ditë. Dumani kërkoi që çështja ndaj Ajola Xoxës të ndahet nga të pandehurit e tjerë, me qëllim që procesi të vijojë. Ai shtoi se shqyrtimi ka nisur në shtator dhe e pandehura nuk ka qenë e pranishme në asnjë seancë.
Avokati Brahimllari theksoi se mbrojtja kërkon respektimin e procedurës penale dhe kundërshtoi ndarjen e çështjes, duke argumentuar se kjo nuk do të ishte ekonomike për gjykatën dhe se prioritet është garantimi i mbrojtjes efektive. Pas diskutimeve të palëve, gjykata u tërhoq për të marrë një vendim.