Të katër të akuzuarit mbahen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Prokuroria i ka akuzuar ata si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, e cila synonte marrjen e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe eliminimit të kundërshtarëve. Sipas aktakuzës, viktimat përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në. Prokuroria kërkoi dënim me nga 45 vjet burg për secilin.

Ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi e Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, i kanë mohuar akuzat dhe kanë kërkuar lirimin. Thaçi i cilësoi akuzat “krejtësisht të pavërteta, absurde dhe thellësisht fyese”.

Në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar figura të njohura të diplomacisë dhe sigurisë perëndimore të kohës së luftës. Ndër ta ishin ish-zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-komandanti i NATO-s për Evropën, Wesley Clark. Ata deklaruan se UÇK-ja nuk funksiononte si një strukturë e centralizuar dhe se të akuzuarit kishin më pak ndikim dhe kontroll sesa pretendohet në aktakuzë. Rubin theksoi se administrata amerikane nuk kishte dëgjuar për Thaçin deri në Rambuje dhe se nuk kishte prova që e lidhnin atë ose Krasniqin me vrasje. Clark deklaroi se UÇK-ja ishte forcë e vetorganizuar dhe përbëhej nga grupe lokale të armatosura në përgjigje të represionit serb, duke shtuar se nuk kishte prova për spastrim etnik të serbëve nga UÇK-ja.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), e përfaqësuar nga prokurori Matt Halling, pretendoi se Thaçi i kishte mashtruar ndërkombëtarët, duke ndikuar në botëkuptimin e tyre për funksionimin real të UÇK-së.

Aktakuza fillestare u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe është ndryshuar disa herë, versioni me më pak redaktime u dorëzua më 27 shkurt 2023. Faza e paraqitjes së provave u mbyll më 18 dhjetor 2025, me 134 dëshmitarë. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 9 deri më 18 shkurt 2026. Gjykata Speciale shtyu datën e vendimit për shkak të vëllimit të madh të provave.