Një hulumtim i Institutit për Demokraci “Societas Civitas” tregon se gjyqësori dhe Prokuroria Publike mbeten institucionet me besimin më të ulët në Maqedoninë e Veriut, me përkatësisht 3.5% dhe 3.6%. Në të kundërt, ushtria gëzon besimin më të lartë me 6%, e ndjekur nga bashkësitë fetare me 5.9%.

Besimi te Parlamenti shënoi një rritje simbolike nga 4.6% në 4.8%. Vetëm 28% e qytetarëve besojnë se vendi po ecën në drejtimin e duhur, ndërsa 51% mendojnë se është në drejtimin e gabuar.

Prioritetet kryesore të qytetarëve lidhen me çështjet ekonomike dhe sundimin e ligjit. Rritja ekonomike zgjidhet si përparësi nga 29% e qytetarëve, ndërsa sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit nga 22%. Mirëqenia sociale dhe cilësia e jetës renditen të tretat me 20%, ndërsa integrimi evropian ka vetëm 17% mbështetje.

Lidhur me funksionimin e Parlamentit, 57% e qytetarëve e perceptojnë atë si pjesërisht ose plotësisht të mbyllur. Një shifër e lartë, 87%, nuk ka kontaktuar kurrë me një deputet. Gjithashtu, 74% e qytetarëve besojnë se deputetët përfaqësojnë gjithmonë interesat personale, ndërsa 66% mendojnë se përfaqësojnë interesat e udhëheqjes së partisë. Vetëm 9% e të anketuarve besojnë se deputetët përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve.

Hulumtimi nxjerr në pah një hendek mes pritshmërive të qytetarëve dhe funksionimit real të institucioneve, sidomos përsa i përket transparencës dhe llogaridhënies.