Gjykata Supreme i ka refuzuar të gjitha ankesat si të pabazuara. Lista Serbe kundërshtoi mandatin e fituar nga subjekti "GI – Za Slobodu, Pravdu i Opstanak" (ZSPO). Pretendimet e tyre ishin se votat u siguruan nga vendvotime me shumicë shqiptare, duke cenuar përfaqësimin autentik serb.

Gjykata Supreme theksoi se Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme garantojnë votën personale, të barabartë, të lirë dhe të fshehtë. Lista e Votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike. Prandaj, vlefshmëria e votës nuk varet nga etnia e votuesit apo struktura demografike e vendbanimit. Gjithashtu, Lista Serbe nuk paraqiti prova konkrete për manipulim votash.

Kandidatja Emilija Rexhepi (NDS) paraqiti dy ankesa. Ajo kundërshtoi mospërputhjen demografike me rezultatin zgjedhor dhe kërkoi anulimin e votave për mandatin boshnjak. Gjykata vlerësoi se pretendimet e saj bazoheshin në interpretime statistikore dhe demografike, të cilat nuk janë bazë ligjore për të vënë në dyshim vlefshmërinë e votave. Legjislacioni zgjedhor nuk e lidh vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike. Gjykata nuk gjeti prova bindëse për manipulim ose ndërhyrje në procesin e votimit.

Bekim Haxhiu (PDK) dhe Qëndrim Kryeziu (PDK) kërkuan rinumërimin e plotë të votave preferenciale. Haxhiu pretendoi se vendimi i PZAP-së ishte marrë mbi konstatim të gabuar faktik dhe zbatim të gabuar të ligjit. Ai kërkoi rinumërim të plotë, por nuk paraqiti prova të mjaftueshme. Gjykata vlerësoi se korrigjimet në raportin e KQZ-së ishin sporadike dhe nuk cenonin besueshmërinë e rezultatit.

Kryeziu pretendoi se ankesa e tij ishte trajtuar gabimisht si çështje e gjykuar dhe ngriti dyshime për saktësinë e rezultatit të PDK-së. Gjykata konstatoi se PZAP kishte shqyrtuar rregullisht ankesën. Raporti i KQZ-së nuk provoi parregullsi sistematike që do të impononin rinumërim të plotë. Vendimet e PZAP-së janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.